

MPJ për deklaratën e Zelenskit kundër Kosovës: Çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese"
Tiranë – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ishte në Serbi ku pavarësisht mbështetjes që Kosova dhe Shqipëria i kanë dhënë, tha se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.
Zelenski deklaroi se jo vetëm nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e cilësoi atë si një territor serb kur u shpreh:
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.
Deklarata pasoi sot një qëndrim zyrtar nga ministria e Jashtme e Shqipërisë. Për herë të parë, qeveria shqiptare u shfaq me nota kritike ndaj Zelenskit duke shfaqur kështu thyerjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
MPJ tha se ka mbështetur dhe vazhdon ta bëjë, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, por kjo nuk do të thotë se nuk është po aq fort, mbështetëse e sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.
Këtu vjen dhe "dushi i ftohtë" për Zelenskib: "Çdo përpjekje për të vendosur një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht çorientuese".
MPJ vë në dukje se "rasti i Kosovës qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore" dhe kujton një fakt të rëndësishëm: "Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ishte e prerë: Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare".
Njëkohësisht ministria jonë e Jashtme evidenton dhe se "agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një çështje krejtësisht e ndryshme. Ai përbën një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla".
Gjithsesi MPJ përpiqet të justifikojë më tej në deklaratën e saj, presidentin Zelenski kur thotë se vizita e tij në Serbi ka në fokus interesat e Ukrainës dhe shton: "Kjo është e kuptueshme dhe legjitime. Po ashtu, çdo hap që ndihmon Serbinë të largohet më tej nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe t’i afrohet Evropës është pozitiv".
Megjithatë, më tej vijon kritika: "Por çdo angazhim është gjithashtu një mundësi për të çuar përpara një mirëkuptim themelor: Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa". /noa.al
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






