Transmetuar më 09-08-2026, 10:53

KRUJË, 9 gusht 2026 – Zjarri masiv që përfshiu zonën e Malit të Krujës është vendosur plotësisht nën kontroll që prej orës 06:00 të mëngjesit, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve, në majën e malit vijon të mbetet një vatër zjarri, e cila po monitorohet dhe menaxhohet nga ajri me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se situata është e qetë dhe se rreziku për një përshkallëzim të mëtejshëm është shmangur falë angazhimit të strukturave operacionale gjatë gjithë natës.

Në operacion u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe më shumë se 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët ndërhynë në të gjithë perimetrin e zonës së prekur nga flakët.

Sipas bilancit të deritanishëm, një magazinë në pronësi të një biznesi është shkrumbuar plotësisht, ndërsa nuk raportohet për banesa të djegura apo persona të lënduar.

Pjesa më e madhe e forcave të angazhuara në operacion tashmë është rishpërndarë, ndërsa ekipet në terren vijojnë monitorimin e zonës dhe ndërhyrjen në çdo vatër të mbetur.

Autoritetet kanë vlerësuar punën dhe angazhimin e strukturave operacionale, të cilat kanë punuar gjatë gjithë natës për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara dhe objekteve të tjera.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit