Transmetuar më 09-08-2026, 08:17

KRUJË – Situata e zjarrit në Krujë vijon të jetë e vështirë, ndërsa në terren është angazhuar një numër i lartë forcash dhe mjetesh për përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve, banesave dhe bizneseve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacion janë angazhuar mbi 280 efektivë, mes tyre më shumë se 200 pjesëtarë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Ndërhyrja po zhvillohet si në terren, ashtu edhe nga ajri. Në operacion marrin pjesë 21 mjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë, ndërsa për monitorimin e vatrave po përdoren edhe droni Bayraktar TB2 dhe dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Forcat e angazhuara kanë në dispozicion edhe një autobot uji, një autoambulancë dhe Qendrën Operacionale të Lëvizshme të AKMC-së, e vendosur në zonë për koordinimin dhe ndjekjen e operacionit.

Operacioni vijon pa ndërprerje, ndërsa pritet edhe mbërritja e forcave dhe mjeteve shtesë zjarrfikëse nga bashki të tjera.

Strukturat në terren po punojnë për kufizimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banorëve, banesave, bizneseve dhe mjedisit, deri në vënien nën kontroll të plotë të situatës.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit