Transmetuar më 09-08-2026, 07:53

VLORË – Renardo Nallbani, i shpallur në kërkim prej vitit 2024 në kuadër të dosjes së inceneratorit të Tiranës, është arrestuar në një vilë në Palasë.

Operacioni policor, i koduar “Vila”, u finalizua nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.

Sipas Policisë, 50-vjeçari u lokalizua në një vilë në Palasë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e tij. Pas ndërhyrjes, shërbimet operacionale bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Nallbani ishte shpallur në kërkim pasi në korrik të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas vendimit të gjykatës, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Arrestimi i Nallbanit është pjesë e operacioneve të njëpasnjëshme të strukturave të Policisë së Vlorës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit