

KRUJË – Situata e zjarrit në Krujë është vënë nën kontroll, ndërsa dy helikopterë kanë nisur ndërhyrjen nga ajri për shuarjen përfundimtare të flakëve. Aktualisht raportohet për një vatër zjarri aktive.
Flakët përfshinë zona pranë banesave, magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit, duke detyruar qindra banorë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Situata më e vështirë u paraqit në zonat e Barabit dhe Llubanit, ku zjarri u përhap me shpejtësi, i favorizuar edhe nga era.
Për shkak të rrezikut, autoritetet ndërhynë për evakuimin e banorëve, ndërsa disa prej tyre u larguan me forcë pasi refuzuan të braktisnin banesat.
Në rrezik u vu edhe Spitali i Krujës. Flakët iu afruan rreth 50 metra godinës, duke bërë të nevojshëm evakuimin e pacientëve gjatë natës drejt Tiranës. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Gjatë operacionit të ndërhyrjes, terreni i vështirë dhe përhapja e shpejtë e flakëve e komplikuan punën e forcave zjarrfikëse dhe të Forcave të Armatosura. Në pesë lagje u ndërpre energjia elektrike, ndërsa strukturat vendore u angazhuan për sistemimin e banorëve të evakuuar.
Me zbardhjen e ditës, situata është përmirësuar. Forcat zjarrfikëse dhe FA kanë vijuar punën gjatë gjithë natës, ndërsa dy helikopterë janë angazhuar nga ajri për shuarjen e plotë të vatrës së mbetur.
Ndërkohë, në lidhje me zjarrin është arrestuar Qemal Berhami. Sipas Policisë, ai kishte ndezur barishte pranë banesës së tij, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar zonat e banuara të Krujës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






