

Qeveria njoftoi sonte se ka lëshuar urdhër evakuimi dhe ka nisur procesin e largimit të nevojshën të banorëve në zonën Barabit–Lluban, Bashkia Krujë si pasojë e zjarreve.
Në zbatim të Ligjit nr. 45/2019, “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës Barabit–Lluban, në Bashkinë Krujë.
Procesi i evakuimit po realizohet në koordinim të plotë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, raporton noa.al.
Për realizimin e evakuimit po angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
Prioritet në evakuim kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi ndryshe dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.
Bashkia Krujë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, tha se do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore.

Pamje nga zjarri në Krujë
"U bëjmë thirrje banorëve të zonës Barabit–Lluban të ndjekin me përparësi udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave gjatë procesit të evakuimit", thuhet në urdhrin për evakuim.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






