Transmetuar më 08-08-2026, 23:27

Policia ka arrestuar në flagrancë 73-vjeçarin Qemal Berhami, banues në lagjen “Abaze” të Krujës, i dyshuar për zjarrvënien që shkaktoi përhapjen e flakëve drejt Malit të Krujës dhe vuri në rrezik zonat e banuara.

Sipas Policisë, 73-vjeçari kishte ndezur zjarr pranë banesës së tij për të djegur një sasi bari. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, të favorizuara nga era, janë përhapur në drejtim të malit, duke krijuar rrezik për banesat dhe banorët e zonës.

“Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara”, njofton Policia.

Pas marrjes së informacionit për situatën, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin pranë vatrës së zjarrit, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

Ndërkohë, vijon operacioni për shuarjen e flakëve. Në terren po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave të zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tyre drejt zonave të banuara.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Policia u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, duke paralajmëruar se autorët do të përballen me përgjegjësinë ligjore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit