Transmetuar më 08-08-2026, 22:01

VORË, 8 gusht 2026 – Një konflikt familjar për çështje pronësie ka përfunduar në përplasje fizike në Vorë, ku një grua është dërguar në spital pas një sherri me dy vëllezërit e saj.

Ngjarja është denoncuar në redaksinë tonë nga një tjetër vëlla i familjes, i cili ka dërguar edhe pamje filmike nga momentet e konfliktit.

Në pamjet e siguruara nga redaksia, dy persona, të identifikuar nga denoncuesi si Alfonc Gjoka dhe Indrit Maloku, i kërkojnë gruas të largohet nga një banesë, duke pretenduar se prona u përket atyre. Debati më pas përshkallëzohet në përplasje fizike.

Në video, gruaja shihet duke përfunduar në tokë dhe dëgjohet duke kërkuar ndihmën e personit që po filmonte. Gjatë konfliktit dëgjohen edhe ulërimat e saj, ndërsa në një moment ajo pretendon se njëri prej vëllezërve i ka marrë telefonin.

Sipas denoncuesit, motra e tij jeton në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri. Ai pretendon se gruaja ka pësuar dëmtime gjatë konfliktit dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Denoncuesi thotë se përplasja lidhet me një konflikt të hershëm familjar për pronat, i cili, sipas tij, vijon prej rreth tre vitesh dhe ka përfshirë edhe procese civile.

Ai pretendon gjithashtu se motra e tij ka pasur më herët konflikte dhe kërcënime me vëllezërit dhe se ndaj tyre është vendosur një urdhër mbrojtjeje. Këto pretendime mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.

Personi që ka bërë denoncimin thotë se ka ndërhyrë për të mbrojtur motrat e tij gjatë konfliktit.

Redaksia publikon pamjet e dërguara nga denoncuesi, ndërsa mbetet në pritje të reagimit të personave të përfshirë dhe autoriteteve për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të mësuar nëse është marrë ndonjë masë ligjore lidhur me rastin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit