

TIRANË, 8 gusht 2026 – Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë vendin pritet të nisë të zbutet gradualisht në ditët në vijim, ndërsa temperaturat ekstremisht të larta mund të vijojnë edhe për dy ose tre ditë.
Meteorologia Tanja Porja, në një prononcim për A2 CNN, tha se kjo pritet të jetë vala më intensive e të nxehtit gjatë kësaj vere, ndërsa më pas tendenca do të jetë në ulje të temperaturave, si gjatë orëve të mëngjesit, ashtu edhe në mesditë.
“Sigurisht që presim rënien e vlerave termike, por kjo është vala e nxehtësisë më intensive dhe presim që ky të jetë edhe kulmi i kësaj vere. Më pas, të gjitha tendencat janë të temperaturave në rënie”, u shpreh Porja.
Sipas saj, rënia e temperaturave fillimisht do të jetë e lehtë dhe graduale, ndërsa pas datave 12-13 gusht pritet të ndihet më shumë ndryshimi. Në këtë periudhë, temperaturat maksimale mund të zbresin në rreth 36-37°C.
Porja theksoi se vera e këtij viti ka shënuar temperatura shumë të larta në territorin shqiptar, me vlera që në periudha të gjata kanë qenë 35°C dhe mbi 35°C.
Meteorologia tha gjithashtu se është ende herët për të përcaktuar nëse viti 2026 do të jetë më i nxehti në historinë e matjeve, pasi duhet pritur përfundimi i muajit gusht.
“Vera 2023 theu rekorde në të gjitha kontinentet. Nuk mund ta themi që 2026 do të jetë vera më e nxehtë. Do të presim të mbarojë vera, pra deri më 31 gusht. Por ky vit ka sinjale që të jetë viti më i nxehtë në historinë e matjeve”, deklaroi Porja.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






