Transmetuar më 08-08-2026, 18:41

TAJLANDË, 8 gusht 2026 – Janë publikuar pamje të reja nga kamerat e sigurisë lidhur me sulmin e rëndë të ndodhur në një shkollë në periferi të Bangkokut, ku një 14-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj pjesëtarëve të stafit pedagogjik.

Ngjarja është regjistruar të premten në mëngjes në shkollën Debsirin Nonthaburi, në veri të kryeqytetit tajlandez. Sipas autoriteteve, nga sulmi raportohet të kenë humbur jetën të paktën nëntë persona, ndërsa më shumë se 20 të tjerë janë plagosur. Nxënësit nuk raportohet të jenë mes viktimave.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, 14-vjeçari shihet duke dalë nga një klasë dhe duke lëvizur në korridoret e shkollës, ndërsa në sfond dëgjohen të shtëna armësh. Ngjarja shkaktoi panik në ambientet e godinës, ndërsa i mituri më pas u largua nga zona e filmuar.

Sipas autoriteteve, sulmi ka zgjatur rreth një orë. 14-vjeçari është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Hetimet: Dyshohet se vrau edhe gjyshërit

Hetimet kanë nxjerrë në pah edhe një tjetër pistë. Policia dyshon se, përpara sulmit në shkollë, 14-vjeçari mund të ketë vrarë gjyshërit e tij në banesën ku jetonte.

Sipas të dhënave paraprake, arma e përdorur dyshohet të ketë qenë një pistoletë 9 mm, në pronësi të gjyshit. Në posedim të të miturit raportohet se janë gjetur edhe municione.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Hetuesit po analizojnë provat e mbledhura në banesë dhe në ambientet e shkollës, pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe dëshmitë e personave që ndodheshin në vendngjarje.

Zëvendësministri i Brendshëm i Tajlandës ka deklaruar se gjatë kontrolleve në banesën e 14-vjeçarit janë gjetur materiale që lidhen me interesimin e tij për videolojërat.

Megjithatë, një mësues i shkollës e ka përshkruar të miturin si nxënës me rezultate të larta dhe pa një histori të njohur sjelljeje agresive.

Autoritetet vijojnë hetimet për të rindërtuar kronologjinë e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit