

Korçë – Policia e Korçës sapo ka konfirmuar se janë katër persona të përfshirë në vrasjen e Joan Zukos, tre janë shoqëruar, por autori kryesor i dyshuar është zhdukur në drejtim të paditur.
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






