

Kush është i riu që ndoqi me kallashin në thes Joanin që më pas mbeti i vrarë brenda pallatit në Korçë
Ngjarja që tronditi Korçën ku iu mor jeta një ushtari të Forcave të Armatosura, është e veshur me paqartësi pasi në të janë përfshirë të paktën katër persona përballë viktimës.
Joan Zuko u vra pabesisht sepse sipas të dhënave paraprake hetimore, u sulmua deri në ndjekje fatale nga i riu që dyshohet të ishte shok i tij dhe e vrau me kallashnikov.
Ajo që konfirmoi noa.al është se Kristian Sterjo është parë me një thes të zi në dorë brends të cilit mbante një armë automatike të tipit Kallashnikov me të cilën mbeti i vrarë Joan Zuko.
Por siç pohon Policia e Shtetit, nuk është e qartë nëse Sterjo është personi që jo vetëm mbante Kallashin, por edhe hapi zjarr ndaj ushtarit 20 vjeçar.
Çfarë ndodhi
Pasditen e sotme, Joan Zuko, 20 vjeç, banor i Korçës, u gjend në një bllok pallatesh në lagjen nr 14 të qytetit juglindor, zonë ku ai nuk e kishte vendbanimin.
Ndërsa vraponte, pas tij po rendte edhe një tjetër, mesa duket, shoku i tij.
Teksa Johani përpiqej ti shpëtonte plumbave të armës që i riu tjetër mbante në dorë, u fut brenda një pallati.
Por edhe aty nuk ia doli dot të shpëtojë sepse autori e gjeti dhe hapi zjarr duke i marrë jetën.
"Autori dyshohet se e ka ndjekur deri brenda pallatit, ku ka arritur ta gjejë dhe më pas e ka qëlluar me armë zjarri, dyshohet kallashnikov. Plumbat i kanë shkaktuar plagë të rënda 20-vjeçarit, duke i marrë jetën", thanë burime në vendngjarje.
Menjëherë pas të shtënave, autori është larguar nga vendi i krimit dhe aktualisht ndodhet në arrati. Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij duke e futur qytetin e Korçës në shtetrrethim, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të skenës së krimit.
Joan Zuko ishte bërë pjesë e Forcave të Armatosura si ushtar me pagesë, që nga 18 qershori 2024.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






