Transmetuar më 08-08-2026, 17:17

KORÇË, 8 gusht 2026 – Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës.

Pas identifikimit të të dyshuarit, strukturat e Policisë kanë intensifikuar kontrollet në terren për lokalizimin dhe kapjen e tij. Në disa zona janë ngritur postblloqe, ndërsa efektivët po kontrollojnë akset rrugore dhe zonat përreth për të parandaluar largimin e autorit të dyshuar.

Në kuadër të hetimeve, Policia po mbledh dhe sekuestron pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave pranë vendit të ngjarjes. Pamjet pritet të ndihmojnë në rindërtimin e lëvizjeve të viktimës dhe autorit para dhe pas vrasjes.

Sipas informacioneve paraprake, Johan Zuko, i cili nuk ishte banor i lagjes ku ndodhi ngjarja, dyshohet se është ndjekur nga autori. I riu ka tentuar të fshihet brenda një pallati, por autori dyshohet se e ka ndjekur dhe e ka qëlluar me armë zjarri.

Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i krimit dhe vijon të jetë në kërkim. Forcat e Policisë po kryejnë kontrolle intensive në terren, ndërsa grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Një tjetër drejtim i hetimit është përcaktimi i motivit të vrasjes. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse viktima dhe autori i dyshuar kanë pasur më herët konflikte apo përplasje mes tyre.

Deri në këto momente, Policia nuk ka bërë të ditur zyrtarisht identitetin e personit të dyshuar si autor.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit