

TIRANË, 8 gusht 2026 – Mbështetës të 32-vjeçares turke Julide Yazici, e cila u la në burg nga Gjykata e Tiranës pas arrestimit në Rinas, kanë protestuar para Ambasadës së Shqipërisë në Francë, duke kërkuar lirimin e saj.
Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, protestuesit qëndruan për pak minuta para ambienteve të ambasadës, ku shprehën kundërshtimin ndaj vendimit të gjykatës për masën e sigurisë ndaj 32-vjeçares.
Yazici, me profesion mësuese, u arrestua në aeroportin e Rinasit teksa po udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë. Gjatë verifikimeve në pikën kufitare, autoritetet shqiptare konstatuan se ajo ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankaraja.
Gjykata e Dhomës Penale në Tiranë vendosi një ditë më parë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj 32-vjeçares, e cila kërkohet nga autoritetet turke për qëllime ekstradimi.
Sipas të dhënave të bëra publike, Yazici është dënuar në Turqi me katër vite burgim për veprat penale që lidhen me dhënien e ndihmës logjistike dhe pjesëmarrjen në një organizatë të konsideruar terroriste nga autoritetet turke. Sipas të njëjtave të dhëna, asaj i kanë mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burgim.
Një burim pranë Interpol Ankarasë, i cituar nga gazetarja Anila Hoxha, ka deklaruar se rreth shtatë vite më parë Yazici ka qenë studente dhe ka marrë pjesë në protesta kundër qeverisë së presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Sipas këtij burimi, pas këtyre zhvillimeve ajo kishte përfituar azil politik në Francë.
Avokati i saj, Artan Shllaku, ka deklaruar se do të kërkojë lirimin e menjëhershëm të 32-vjeçares dhe kundërshtimin e ekstradimit të saj drejt Turqisë. Sipas mbrojtjes, kthimi i saj në Turqi do të përbënte rrezik për jetën e saj.
Çështja pritet të vijojë të shqyrtohet nga autoritetet shqiptare në kuadër të procedurës së ekstradimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






