Transmetuar më 08-08-2026, 15:32

Lënda eksplozive sot te biznesi i Noizyt në Durrës, rikthehet në vëmendje sulmi me tritol i vitit 2022

Të tjera detaje kanë dalë në lidhje me lëndën e dyshuar eksplozive të gjetur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Plazhit në Durrës.

Objekti ku u konstatua lënda e pashpërthyer ndodhet në lagjen nr. 13 dhe është në pronësi të Rigels Rajkut, reperit të njohur me emrin artistik Noizy.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa vijojnë veprimet për të përcaktuar rrethanat, motivin dhe për të identifikuar personin ose personat që mund të kenë vendosur lëndën.

Ngjarja rikthen në vëmendje një tjetër episod të ndodhur më 8 qershor 2022, kur një sasi tritoli shpërtheu pranë një dyqani rrobash dhe një lokali të lidhur me reperin. Nga ai shpërthim nuk pati persona të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale.

Në atë periudhë ngjarja u raportua në sfondin e përplasjeve publike mes Noizyt dhe Kleviol Ahmetit, i njohur si Cllevio Serbiano.

Për episodin e vitit 2022 hetimet kanë vijuar edhe më pas nga Prokuroria e Posaçme. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, vendosja e eksplozivit dyshohet se ishte porositur nga Laert Haxhiu.

Haxhiu, i njohur edhe për lidhjen e tij shoqërore me Cllevion, është akuzuar në çështje të tjera të rënda penale dhe është dënuar me burgim të përjetshëm në lidhje me atë që njihet si “Masakra e Lushnjës”, ngjarje e vitit 2017.

Për momentin nuk ka një njoftim zyrtar që ta lidhë ngjarjen e sotme me episodin e vitit 2022 apo me konfliktet e mëparshme. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar se kush e vendosi lëndën e dyshuar eksplozive dhe cili ka qenë motivi.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit