Transmetuar më 08-08-2026, 15:15

TIRANË, 8 gusht 2026 – Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Tufinë” në Tiranë, në derën e banesës së një 72-vjeçari.

Sipas Policisë, nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të pakta materiale. Pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Motivi”, hetuesit kanë administruar provat e mbledhura në vendngjarje dhe kanë identifikuar tre persona të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

Në kërkim janë shpallur E. A., 39 vjeç, A. A., 43 vjeç dhe M. A., 41 vjeç, tre vëllezër, të dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se tre vëllezërit, rreth orës 00:30 të datës 8 gusht, kanë vendosur dhe më pas kanë shpërthyer një sasi lënde plasëse në derën e banesës së 72-vjeçarit.

Sipas hetuesve, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.

Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit