Transmetuar më 08-08-2026, 15:11

TIRANË, 8 gusht 2026 – Tetë qarqe të vendit pritet të përballen gjatë fundjavës me rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve, ndërsa temperaturat mund të arrijnë deri në 39 gradë Celsius.

Paralajmërimi është bërë nga Instituti i Gjeoshkencave përmes Buletinit të Rreziqeve, ku theksohet se kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e flakëve, veçanërisht në zonat e Ultësirës Perëndimore.

Qarqet që vlerësohen me rrezik të lartë janë Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Gjirokastra dhe Vlora.

Ndërkohë, në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës, rreziku i përgjithshëm vlerësohet më i ulët, megjithatë në zona të caktuara mund të paraqitet rrezik i lartë për përhapjen e zjarreve.

Situata me zjarret

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, zjarret në Dajt dhe Priskë janë shuar plotësisht.

Ndërkohë, në qarqe të tjera vijojnë ndërhyrjet e strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura për vënien nën kontroll të vatrave aktive.

Në Çikallesh të Kavajës dhe në Mallakastër, flakët janë izoluar dhe situata raportohet nën kontroll.

Gjendja është stabilizuar edhe në Plan të Bardhë, Klos, ndërsa në Kostren 2 të Beratit dhe Uruç të Peqinit, zjarret janë shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale.

Në Alikomemaj të Memaliajt, vijon puna e ekipeve të emergjencave për shuarjen e një vatre ende aktive.

Autoritetet bëjnë me dije se operacionet do të vijojnë deri në neutralizimin përfundimtar të të gjitha vatrave, ndërsa qytetarëve u kërkohet të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të favorshme për përhapjen e zjarreve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit