Transmetuar më 08-08-2026, 13:45

KOSOVË, 8 gusht 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar incidentin e ndodhur në Kuvend, ku u qëllua me vezë nga deputetja opozitare Time Kadrijaj, gjatë tensioneve në seancë.

Në një prononcim për mediat, Kurti deklaroi se nuk e konsideron sulmin me vezë si shqetësimin kryesor, duke theksuar se për të më e rëndësishme është që palët politike të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për zgjidhjen e situatës.

Kurti tha se, nëse incidenti është “çmimi” që duhet të paguajë për të bindur opozitën të marrë pjesë në bisedime, ai është i gatshëm ta pranojë.

“Edhe nëse bëhen aksione të tilla kundër meje, unë nuk jam këtu për veten time, jam për Kosovën. Kërkojnë të ulemi bashkë dhe për Kosovën të bëjmë marrëveshje. Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e pantallonave të kryeministrit është çmimi që unë duhet të paguaj në mënyrë që ata të ulen e të bisedojmë, jam i lumtur ta paguaj”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se nuk po ankohet për veprimet e opozitës, por për mungesën e gatishmërisë për t’u takuar dhe dialoguar.

“Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, unë ankohem që ata s’duan të takohen”, deklaroi kryeministri.

Kurti foli gjithashtu për vijimin e seancës parlamentare, duke thënë se kjo çështje përcaktohet nga kryesuesi i seancës. Sipas tij, procesi duhet të vijojë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Deklaratat e Kurtit vijnë në një moment tensionesh politike në Kuvendin e Kosovës, ku palët vijojnë të kenë përplasje lidhur me zhvillimin e procesit parlamentar dhe dialogun mes pozitës dhe opozitës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit