Transmetuar më 08-08-2026, 13:30

FUSHË-ARRËZ, 8 gusht 2026 – Banorë të Fushë-Arrëzit kanë zhvilluar një protestë kundër propozimit për ndryshimin e ndarjes territoriale dhe shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz me Bashkinë Pukë.

Protestuesit e kanë kundërshtuar propozimin e shumicës socialiste, duke e cilësuar atë si cenim të dinjitetit dhe interesave të komunitetit lokal.

Në protestë morën pjesë edhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale nga opozita, Luçiano Boçi, si dhe kryebashkiaku demokrat i Fushë-Arrëzit, Hil Curri.

Curri deklaroi se komuniteti nuk do ta pranojë shkrirjen e bashkisë dhe se do të vijojë ta kundërshtojë reformën. Ai pretendoi gjithashtu se në Fushë-Arrëz nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë publike për ndryshimet e propozuara.

“Do ta mbrojmë me çdo çmim. Nuk është bërë asnjë dëgjesë publike në Fushë-Arrëz. Nuk mund të bëjë çfarë të dojë shteti me ne”, u shpreh Curri.

Ai u bëri thirrje deputetëve që të marrin në konsideratë qëndrimin e banorëve të zonës dhe të mos miratojnë një ndryshim territorial pa konsultimin e komunitetit.

Në mbështetje të protestuesve u shpreh edhe Paulin Luli, ish-kandidat i Partisë Socialiste për deputet. Në fjalën e tij, Luli kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe deklaroi se është penduar për mbështetjen që i ka dhënë më herët.

“Ju kërkoj ndjesë nëse ju kam kërkuar votën për Edi Ramën, por ky nuk e ka merituar dhe nuk e meriton”, deklaroi Luli.

Ai hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Ramën si “tradhtarin më të madh të Shqipërisë”. Luli foli edhe për periudhën kur ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm, duke pretenduar se ka dhënë dorëheqjen pasi është përballur me presione për të firmosur dokumente që, sipas tij, mund ta vinin përballë përgjegjësive ligjore.

“Unë nuk ju kam tradhtuar, ja ku jam. […] Unë jam për punë të ndershme, për meritokraci, për drejtësi”, u shpreh ai.

Protesta e Fushë-Arrëzit zhvillohet në kuadër të kundërshtimeve ndaj reformës së propozuar territoriale, e cila ka sjellë reagime në disa bashki që mund të preken nga riorganizimi i njësive të qeverisjes vendore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit