

KOSOVË – Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka rinisur mes tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve.
Seanca, e cila ka nisur më 6 gusht, po drejtohet nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa në sallë raportohet se janë të pranishëm 109 deputetë.
Situata është tensionuar pasi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka qëlluar me vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Veprimi ka shkaktuar reagime dhe përplasje mes deputetëve, duke sjellë kaos në sallën e Kuvendit.
Seanca e sotme zhvillohet në një moment kritik për Kosovën, pas dështimit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar. Deputetët pritet të shqyrtojnë dy pika kryesore të rendit të ditës: zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve.
Zgjedhja e kryesisë së re konsiderohet një hap i rëndësishëm për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Tensionet politike mes partive janë shtuar ditët e fundit, ndërsa palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për zhbllokimin e situatës politike dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.



Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






