Transmetuar më 08-08-2026, 12:19

FIER – Një konflikt mes disa të burgosurve është regjistruar mesditën e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Fier, gjatë orarit të ajrimit.

Sipas raportimeve, në përplasjen fizike janë përfshirë Denis Brajovic (Bajri) dhe Jurgen Zotaj, të cilët kanë mbetur të plagosur.

Burime pranë Spitalit Rajonal të Fierit dhe Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale konfirmojnë se dy të burgosurit kanë marrë dëmtime gjatë konfliktit. Sipas të dhënave paraprake, ata dyshohet se janë goditur me mjete prerëse të improvizuara.

Pas nisjes së sherrit, kanë ndërhyrë menjëherë forcat e sigurisë së burgut, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë rikthyer të dënuarit në qelitë e tyre.

Dy të plagosurit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nuk dihen ende rrethanat e plota që çuan në nisjen e konfliktit, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin shkakun e përplasjes dhe nëse në të janë përfshirë edhe persona të tjerë.

Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me incidentin dhe masat e marra pas tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit