Transmetuar më 08-08-2026, 11:40

KOSOVË- Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kundërshtuar interpretimet se ka përfunduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Në një prononcim para vazhdimit të seancës konstituive, Haxhiu tha se edhe vitin e kaluar Kuvendi nuk ishte konstituuar brenda 30 ditëve dhe se deputetëve duhet t’u jepet mundësia për të bërë përpjekje maksimale për formimin e institucioneve.

Haxhiu hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke argumentuar se qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për një proces të ri zgjedhor.

“Nuk na duhen zgjedhjet”, deklaroi Haxhiu, duke bërë thirrje për marrëveshje politike mes partive.

Sipas saj, pas konstituimit të Kuvendit nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit, ndërsa ajo shprehu shqetësimin se mund të ketë përpjekje për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Haxhiu u bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në seancë dhe të negociojnë për një marrëveshje, duke theksuar se Vetëvendosje ka ftuar vazhdimisht opozitën për dialog.

“Kush ka probleme, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”

Lidhur me pretendimet e opozitës se vazhdimi i seancës është në kundërshtim me Kushtetutën, Haxhiu tha se çdo subjekt që e kundërshton vendimin ka mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ajo.

Haxhiu shtoi se, nëse partitë opozitare nuk pajtohen me thirrjen e seancës, mund ta dërgojnë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, ajo pretendoi se opozita nuk ka dorëzuar zyrtarisht 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës. Sipas Haxhiut, vetëm njoftimi për ekzistencën e nënshkrimeve nuk është i mjaftueshëm dhe ato duhet të jenë protokolluar zyrtarisht.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur Kosova ndodhet në një ngërç politik lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit