Transmetuar më 08-08-2026, 11:10

ELBASAN- Dy operacione policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja” janë finalizuar nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan.

Si rezultat i operacioneve, policia ka zbardhur dy raste të djegies së qëllimshme të automjeteve, ndërsa ka arrestuar edhe një 32-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Zbardhen rastet e djegies së automjeteve

Në kuadër të operacionit “Last Fire”, pas hetimeve të thelluara u bë ndalimi i shtetasit E. K., 43 vjeç, banues në Elbasan.

Sipas policisë, 43-vjeçari dyshohet se më 7 gusht 2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse, konkretisht benzinë, automjetin në përdorim nga një 26-vjeçar, banues në Elbasan.

Nga hetimet e mëtejshme, Ervis Kuka dyshohet gjithashtu se është autor i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të shtetasit E. H., ngjarje e ndodhur më 28 qershor 2026.

Kapet me pistoletë, 35 fishekë dhe kokainë

Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Mbikëqyrja”, shërbimet e policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Dervish Rusta 32 vjeç, banues në Elbasan.

Ai u kap në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.

Në vijim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Arma e zjarrit, municioni dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit