

Dy operacione brenda Elbasanit, Policia zbardh djegiet e makinave – çfarë iu gjet një tjetër të arrestuari
Policia e Elbasanit ka finalizuar dy operacione të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”, të cilat kanë çuar në arrestimin e dy personave për ngjarje të ndryshme kriminale.
Operacionet u zhvilluan nga Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe hetimeve të kryera.
Në kuadër të operacionit “Last Fire”, policia ndaloi Ervis Kuka, 43 vjeç, banues në Elbasan.
Sipas Policisë, 43-vjeçari dyshohet se më 7 gusht 2026, rreth orës 01:00, i ka vënë zjarrin me benzinë automjetit që përdorej nga L. D., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet e mëtejshme, Kuka dyshohet gjithashtu si autor i një tjetër ngjarjeje të ndodhur më 28 qershor 2026, kur u dogjën dy automjete në pronësi të shtetasit E. H.
Ndërkohë, në operacionin e dytë, të koduar “Mbikëqyrja”, policia arrestoi në flagrancë Dervish Rusta, 32 vjeç, gjithashtu banues në Elbasan.
Ai u ndalua në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”. Gjatë kontrollit fizik, sipas Policisë, iu gjetën një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.
32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arma e zjarrit, municioni dhe lënda e dyshuar narkotike u sekuestruan si prova materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






