Transmetuar më 08-08-2026, 10:57

Policia Kufitare e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Route”, duke arrestuar dy persona të dyshuar se kundrejt pagesës ndihmonin emigrantë nga vendet e treta të udhëtonin drejt veriut të Shqipërisë, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi.

Në pranga janë vënë J. M., alias D. M., 42 vjeç, banues në Korçë, dhe E. D., 31 vjeç, banues në fshatin Belorta të Maliqit.

Sipas Policisë, gjatë verifikimeve rezultoi se 31-vjeçari E. D. ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Dy të dyshuarit u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Plasë, Maliq. Autoritetet thonë se aty kishin grumbulluar rreth 28 shtetas sudanezë, të cilët synonin të arrinin në veri të Shqipërisë dhe më pas të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.

Sipas të dhënave të Policisë, emigrantët transportoheshin në grupe me nga 7 deri në 8 persona, duke përdorur mjete të ndryshme dhe kundrejt pagesës.

Operacioni u organizua nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, pas kontrolleve dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative për raste të dyshuara të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automjet, 6500 euro dhe tre aparate celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme. /noa.al

Korçë/Vijojnë goditjen e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë nga vendet e treta

Finalizohet nga Shërbimet e Policisë Kufitare operacioni i koduar “Route”, arrestohen 2 shtetas, të cilët u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke ndihmuar për t’i transportuar me mjete të ndryshme drejt Shkodrës, kundrejt pagesës, 28 shtetas afrikanë që synonin të kalonin ilegalisht kufirin për në Malin e Zi.

Sekuestrohen automjeti, 6500 euro dhe 3 aparate celularë.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Route”.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan shtetasi J. M., alias D. M., 42 vjeç, banues në Korçë dhe shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në fshatin Belorta, Maliq.

Nga verifikimet rezultoi që shtetasi E. D. ka qenë me masën e sigurisë atë të “Arrestit në shtëpi”.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në fshatin Plasë, Maliq, ku kishin grumbulluar rreth 28 shtetas sudanezë, të cilët më pas, nga 7-8 shtetas, i transportonin me mjete të ndryshme drejt veriut të Shqipërisë, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit