

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Saimir Rosales Rodriguez, i njohur si “kimisti” i grupit të Frakullës, i cili u ekstradua nga Kolumbia drejt Shqipërisë një ditë më parë.
Rodriguez, 53 vjeç, shtetas kolumbian, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas largimit nga Shqipëria. Ai u arrestua nga autoritetet kolumbiane dhe, pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, u transferua në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.
Më 30 qershor 2026, Gjykata e Posaçme e dënoi Rodriguez me 14 vite burg, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit.
Sipas hetimeve të SPAK, 53-vjeçari kishte një rol të rëndësishëm në aktivitetin kriminal dhe ishte personi që do të merrej me përpunimin dhe ndarjen e kokainës në laboratorin e zbuluar në Frakull.
Laboratori i kokainës në Frakull
Çështja lidhet me zbulimin e një laboratori të ngritur në Frakull të Fierit, ku dyshohet se përpunohej kokainë.
Në kuadër të hetimit u arrestuan dhe u proceduan edhe persona të tjerë, të dyshuar për përfshirje në grupin kriminal.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me pleh kimik, e cila kishte mbërritur fillimisht në Malin e Zi dhe më pas ishte transportuar drejt Shqipërisë.
Ekstradimi i Rodriguez nga Kolumbia i hap rrugë zbatimit të vendimit të dhënë nga drejtësia shqiptare ndaj tij, pas përfundimit të procedurave gjyqësore në vendin e origjinës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






