

MORINË- Fluks i lartë automjetesh është regjistruar këtë të shtunë në pikën kufitare të Morinës, ndërsa qindra pushues nga Kosova po udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar ditët e pushimeve në bregdet.
Ngarkesa e automjeteve është e dukshme përgjatë Rrugës së Kombit, veçanërisht në segmentin mes pikës kufitare të Morinës dhe pikës së pagesës, ku qarkullimi është shtuar ndjeshëm.
Për të menaxhuar fluksin e udhëtarëve dhe për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, në pikën kufitare po operojnë të gjitha sportelet në dispozicion.
Masa për lehtësimin e qarkullimit janë marrë edhe në pikën e pagesës së Rrugës së Kombit, me synim përshpejtimin e kalimit të automjeteve dhe reduktimin e vonesave.
Autoritetet parashikojnë që fluksi i lartë të vijojë gjatë gjithë fundjavës, në kushtet kur mijëra qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për pushimet verore.
Pika kufitare e Morinës mbetet një nga akset kryesore të hyrjes së turistëve nga Kosova drejt Shqipërisë, veçanërisht gjatë muajve të sezonit të verës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






