

LUSHNJË- Një furgon me targa të Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në Lushnjë, pranë një pike pushimi për drejtuesit e mjeteve, në aksin që të çon drejt Këmishtajt.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti po transportonte një ngarkesë me zogj të vegjël të fushës, të importuar nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesi i furgonit ka konstatuar zjarrin pasi kishte dalë nga autostrada dhe kishte marrë kthesën në drejtim të Këmishtajt.
Pas njoftimit, shërbimet zjarrfikëse të Lushnjës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për të vënë nën kontroll flakët, të cilat kishin përfshirë kabinën e drejtuesit dhe pjesën e pasme të automjetit.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Një pjesë e ngarkesës është dëmtuar, ndërsa më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.
Sipas vlerësimeve paraprake të shërbimit zjarrfikës, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt teknik në sistemin e kondicionimit, në pjesën e pasme të furgonit ku mbahej ngarkesa.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për përcaktimin e saktë të shkakut të zjarrit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






