Transmetuar më 08-08-2026, 07:49

TIRANË- Rreth 50 milionë euro është vlera totale e pasurive të paluajtshme për banim të sekuestruara dhe të konfiskuara që aktualisht administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Në total, portofoli i pasurive të paluajtshme të administruara nga agjencia përfshin 345 prona, një pjesë e konsiderueshme e të cilave është e përqendruar në Tiranë.

Sipas të dhënave të AAPSK-së, të bëra publike për “Monitor”, rreth 75% e vlerës totale të pronave rezidenciale të konfiskuara ndodhet në Tiranë. Vlera e tyre arrin në rreth 3.4 miliardë lekë, nga një total prej 4.6 miliardë lekësh.

Pas kryeqytetit, Durrësi dhe Fieri kanë peshën më të madhe në këtë portofol, me rreth 9% secili të vlerës totale të pronave. Elbasani dhe Kavaja përfaqësojnë rreth 2% secili, ndërsa Saranda dhe Berati rreth 1%.

Pjesa e mbetur e pasurive është e shpërndarë në qytete të tjera, me vlera më të ulëta.

Për pasuritë e ndodhura në Himarë, vlera ekonomike nuk mund të përcaktohet me saktësi, pasi vendimet e sekuestrimit nuk përmbajnë të dhëna mbi sipërfaqen e pronave, një element i domosdoshëm për realizimin e vlerësimit.

AAPSK nuk vendos sekuestron

Vendosja e masës së sekuestros mbi një pasuri nuk është kompetencë e AAPSK-së. Procedura rregullohet nga Kodi i Procedurës Penale dhe legjislacioni i posaçëm në fuqi.

Roli i agjencisë nis pasi pasuria i kalon për administrim, në përputhje me procedurat ligjore.

Sipas Ligjit nr. 34/2019, i ndryshuar, AAPSK merr në dorëzim pasuritë e sekuestruara mbi bazën e vendimeve përkatëse. Neni 16 parashikon marrjen në dorëzim të pasurisë në bazë të vendimit të gjykatës ose urdhrit të prokurorit, ndërsa neni 17 përcakton procedurat për marrjen në administrim të pasurive të sekuestruara me urdhër të organit administrativ kompetent.

Pas marrjes në administrim, agjencia ka përgjegjësi për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe administrimin e pasurive, me synim mbrojtjen dhe, kur është e mundur, rritjen e vlerës së tyre ekonomike.

43.5 milionë euro asete të sekuestruara dhe konfiskuara në 2025

Të dhënat e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) tregojnë se gjatë vitit 2025 vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arriti në 43.5 milionë euro.

Kjo vlerë ishte rreth 50% më e ulët krahasuar me vitin 2024.

Nga totali, 66%, ose rreth 28.8 milionë euro, përfaqësonin pasuri të sekuestruara në kuadër të Kodit të Procedurës Penale. Pjesa tjetër, 34%, ose rreth 14.7 milionë euro, i përkiste pasurive të sekuestruara në kuadër të ligjit Antimafie.

Gjatë vitit 2025, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK sekuestroi dhe konfiskoi një portofol të larmishëm asetesh, përfshirë 145 pasuri të paluajtshme.

Sekuestrime edhe në 2026

Operacionet kundër grupeve kriminale kanë vijuar edhe gjatë vitit 2026.

Në mesin e muajit qershor, SPAK njoftoi goditjen e një grupi kriminal ndërkombëtar, ku u vendosën masa sekuestroje mbi një numër të konsiderueshëm pasurish.

Mes aseteve të prekura përfshiheshin troje, apartamente, garazhe, vila, llogari bankare, shoqëri tregtare dhe pasuri të lidhura me projekte ndërtimi në Tiranë dhe në zonat bregdetare.

Shifrat tregojnë se pasuritë e paluajtshme të sekuestruara dhe konfiskuara mbeten të përqendruara kryesisht në zonat me tregun më të zhvilluar të pasurive të paluajtshme, me Tiranën në një distancë të konsiderueshme nga qytetet e tjera.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit