

Modeli tradicional “8:00 me 5:00” vijon të jetë norma për një pjesë të madhe të tregut shqiptar të punës, por mënyra se si kompanitë matin performancën po ndryshon. Në sektorët ku rezultati është më i rëndësishëm se prania fizike, orët e kaluara në zyrë po humbasin gradualisht peshë përballë objektivave, cilësisë dhe produktivitetit.
Tregu i punës po përpiqet të funksionojë me dy sisteme njëkohësisht: një kuadër ligjor të ndërtuar mbi orët e punës dhe modele të reja menaxhimi që fokusohen gjithnjë e më shumë te rezultatet.
Teknologjia, puna hibride dhe kërkesa për fleksibilitet po e dobësojnë modelin tradicional, por nuk po e zëvendësojnë atë në mënyrë të njëtrajtshme. Në profesionet ku prania fizike është pjesë e shërbimit, koha mbetet një matës i domosdoshëm. Në punët intelektuale, ndërkohë, lidhja mes pranisë dhe produktivitetit është më e dobët.
Nga ora te rezultati
Një gazetar mund të qëndrojë tetë orë në redaksi dhe të mos prodhojë një material me vlerë. Një programues mund të zgjidhë një problem kompleks brenda pak orësh, ndërsa një konsulent mund të përfundojë një projekt nga shtëpia me të njëjtën, ose edhe më të lartë, cilësi.
Pikërisht këtu qëndron sfida për modelin tradicional të menaxhimit: prania fizike nuk është gjithmonë e barabartë me performancën.
Ekspertët e burimeve njerëzore vlerësojnë se për shumë profesione, matësit po zhvendosen drejt cilësisë së punës, ndikimit, përmbushjes së objektivave dhe rezultateve konkrete.
“Performanca nuk matet me numrin e orëve të kaluara në zyrë, por me rezultatet, cilësinë e punës, bashkëpunimin dhe ndikimin që secili profesionist krijon”, shprehet Hergert Hoxha, Menaxher i Burimeve Njerëzore në Deloitte Albania.
Por kalimi nga ora te rezultati nuk do të thotë mungesë kontrolli. Përkundrazi, një model fleksibël kërkon objektiva të qarta, afate, pritshmëri të mirëpërcaktuara dhe mekanizma të vazhdueshëm monitorimi.
Lista e prezencës dhe kufijtë e saj
Debati mbi mënyrën se si matet puna është rikthyer edhe përmes një vendimi të Gjykatës së Lartë, vendimi nr. 00-2022-4578 (582), datë 22 dhjetor 2022.
Çështja lidhej me vlerën provuese të një liste-prezence të krijuar në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësi. Vendimi nuk e shpall fundin e listë-prezencës, por ngre pikëpyetje mbi besueshmërinë e një dokumenti që prodhohet vetëm nga njëra palë.
“Vendimi i gjykatës nuk e kundërshton rëndësinë e orëve të punës, ai vë në diskutim besueshmërinë e një dokumenti të prodhuar në mënyrë të njëanshme”, thotë Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në EPPC Albania & Kosovo.
Sipas tij, regjistrimi i hyrjes dhe daljes duhet të bëhet fizikisht ose përmes një sistemi elektronik të besueshëm. Kur punëdhënësi paraqet vetëm dokumentacionin e prodhuar prej tij, fuqia e tij si provë mund të dobësohet.
Në këtë kuptim, çështja e listë-prezencës lidhet me një debat më të gjerë: nëse prania fizike është ende matësi më i mirë i punës në një ekonomi ku një pjesë gjithnjë e më e madhe e aktiviteteve mund të kryhet në distancë.
Ora si “monedha” e punës
Modeli “8:00 me 5:00” nuk është thjesht një zakon organizativ. Ai është ndërtuar mbi një histori të gjatë ekonomike dhe juridike.
Para industrializimit, fermeri, zejtarët apo tregtari zakonisht shpërbleheshin për produktin që prodhonin ose shisnin. Me Revolucionin Industrial, marrëdhënia ndryshoi dhe koha e punëmarrësit u bë një nga njësitë kryesore të marrëdhënies së punës.
“Me industrializimin, punëdhënësi nisi të blinte kohën e punëmarrësit”, shpjegon Pashaj.
Me kalimin e viteve u vendosën kufij ligjorë për kohën e punës, ditët e pushimit, pagesat për orët shtesë dhe rregulla të tjera. Megjithatë, ora mbeti një nga mënyrat kryesore për të përcaktuar marrëdhënien mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Edhe në Shqipëri, Kodi i Punës përcakton rregulla mbi javën e punës, orët shtesë, punën gjatë natës dhe kompensimin për punën në ditët e pushimit.
Për shumë profesione, kjo logjikë vijon të jetë e domosdoshme. Një kamerier, kuzhinier, punonjës sporteli apo shitës nuk mund ta ofrojë shërbimin nëse nuk është fizikisht në vendin e punës.
Në këto raste, koha dhe rezultati janë të lidhura drejtpërdrejt. Sa më gjatë të jetë i hapur një shërbim, aq më shumë klientë mund të shërbehen.
Pandemia ndryshoi mënyrën e të menduarit
Kufijtë e modelit tradicional u bënë më të dukshëm gjatë pandemisë, kur shumë kompani u detyruan të zhvendosnin aktivitetin online.
Eksperienca tregoi se një pjesë e punëve mund të vazhdonte edhe pa praninë fizike të punonjësve në zyrë. Për disa kompani, kjo nuk ishte thjesht një zgjidhje emergjente, por një mënyrë e re organizimi.
Deloitte Albania është një prej kompanive që ka vijuar me një model hibrid pune. Kompania përdor modelin Deloitte Flex, i cili kombinon punën në distancë me praninë në zyrë.
Sipas Hoxhës, performanca vlerësohet përmes rezultateve dhe ndikimit në projekt e në ekip, ndërsa objektivat dhe pritshmëritë përcaktohen qartë dhe progresi monitorohet përmes sistemeve dhe platformave digjitale.
Modeli i përdorur nga Deloitte Albania është 3+2: tri ditë punë në distancë dhe dy ditë në zyrë.
Ditët në zyrë synohen veçanërisht për aktivitete ku prania fizike sjell vlerë të shtuar, si bashkëpunimi mes ekipeve, mentorimi, trajnimi dhe shkëmbimi i ideve.
Zyra nuk po zhduket, po ndryshon funksion
Puna hibride nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e zyrës. Përkundrazi, roli i saj po ndryshon.
Në modelin tradicional, zyra ishte vendi ku zhvillohej pothuajse e gjithë puna. Në modelin hibrid, ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një hapësirë për bashkëpunim, ndërtim marrëdhëniesh, mentorim dhe forcim të kulturës organizative.
“Prania fizike mbetet e rëndësishme për ndërtimin e marrëdhënieve, zhvillimin profesional, shkëmbimin spontan të ideve dhe forcimin e ndjenjës së përkatësisë”, shprehet Hoxha.
Në të njëjtën kohë, puna në distancë kërkon më shumë autonomi dhe disiplinë nga punonjësi.
“Nuk ka organizatë që menaxhohet vetëm me besim”, thotë Pashaj, duke theksuar nevojën për procese dhe pritshmëri të qarta.
Hoxha e përmbledh këtë marrëdhënie duke theksuar se besimi nuk e zëvendëson llogaridhënien, por e forcon atë.
Dy modele që do të bashkëjetojnë
Në fund, tregu shqiptar i punës nuk duket se po shkon drejt një modeli të vetëm.
Për profesionet ku prania fizike është pjesë e drejtpërdrejtë e shërbimit, ora do të vijojë të jetë një nga matësit kryesorë. Për punët intelektuale, teknologjike dhe profesionale, rezultatet, cilësia dhe ndikimi po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë.
Kjo nuk do të thotë se modeli “8:00 me 5:00” do të zhduket. Më shumë gjasa ka që tregu të ndahet mes roleve ku koha është pjesë e produktit dhe roleve ku koha është vetëm një nga treguesit e kontributit.
Edhe vendimi i Gjykatës së Lartë nuk e zgjidh këtë debat. Ai rikujton se edhe kur puna matet me orë, mënyra e matjes duhet të jetë e besueshme dhe e verifikueshme.
Lista e prezencës mund të mbetet pjesë e marrëdhënies së punës, por prania në zyrë nuk mund të konsiderohet automatikisht si provë e produktivitetit.
Epoka e listë-prezencës nuk ka përfunduar. Por ideja se tetë orë në zyrë janë domosdoshmërisht të barabarta me tetë orë produktivitet, po humbet terren.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






