Transmetuar më 07-08-2026, 21:25

TIRANË, 7 gusht – Situata e zjarreve në disa zona të vendit ka shënuar përmirësim, ndërsa pjesa më e madhe e vatrave të raportuara gjatë ditëve të fundit është shuar ose është vënë nën kontroll.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, janë shuar plotësisht vatrat e zjarrit në zonën e Dajtit dhe Priskës, si dhe ato në Kostren 2 të Beratit dhe Uruç të Peqinit.

Ndërkohë, në zonat Çikallesh të Kavajës, Mallakastër dhe Plan të Bardhë në Klos, zjarret janë izoluar dhe strukturat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur riaktivizimin e flakëve.

Në Plan të Bardhë, ku zjarri më herët kishte rrezikuar disa banesa, ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse dhe forcave mbështetëse bëri të mundur kontrollin e situatës.

Vatra aktive mbetet në Alikomemaj të Memaliajt, ku ekipet zjarrfikëse, strukturat vendore dhe efektivët e Forcave të Armatosura po vijojnë punën për shuarjen e plotë të flakëve.

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se po vijon koordinimi i operacioneve në terren dhe monitorimi i zonave të prekura, me fokus parandalimin e përhapjes së zjarreve dhe ndërhyrjen në rast të riaktivizimit të vatrave të izoluara.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit