

PRISHTINË, 7 gusht – Kuvendi i Kosovës përballet me një ngërç institucional, pasi afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e seancës konstituive përfundon të premten në mesnatë, ndërsa procesi ende nuk është mbyllur.
Njohës të çështjeve kushtetuese kanë vlerësime të ndryshme për pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda afatit.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e konsideron mosrespektimin e afatit një shkelje kushtetuese. Sipas tij, data 7 gusht përbën një afat përfundimtar dhe tejkalimi i tij do të krijonte një situatë të pasigurisë institucionale, edhe pse Kushtetuta nuk përcakton një sanksion të drejtpërdrejtë për këtë rast.
Sipas Cakollit, nëse procesi nuk përfundon brenda afatit, kryesuesi i seancës konstituive nuk do të kishte më bazë kushtetuese për të thirrur vazhdimin e saj.
Ai ka vlerësuar se një nga rrugët e mundshme do të ishte dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa në planin politik ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja mund të bëhen të pashmangshme.
Ndryshe mendon Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili argumenton se mungesa e një pasoje të përcaktuar qartë në Kushtetutë lë hapësirë që seanca të vazhdojë edhe pas përfundimit të afatit.
Sipas tij, edhe nëse afati tejkalohet, kryesuesi i seancës mund ta thërrasë sërish mbledhjen për përfundimin e procesit të konstituimit.
Kriza aktuale lidhet edhe me procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Ekspertët paralajmërojnë se zgjatja e bllokadës institucionale mund të krijojë probleme të reja, pasi mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit ka kufizime kohore.
Procesi i konstituimit është bllokuar pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për konsultime politike me partitë e tjera. Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe partive opozitare deri tani nuk kanë prodhuar një marrëveshje.
Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile kanë bërë thirrje që partitë politike të përfundojnë procesin e konstituimit, duke paralajmëruar se zgjatja e ngërçit dëmton funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






