

PRISHTINË, 7 gusht – Policia e Kosovës ka nisur hetimet pas një rasti të dyshuar të përdorimit të armës së zjarrit gjatë një dasme në komunën e Klinës, ku ishte i pranishëm edhe këngëtari Labinot Rexha.
Sipas raportimeve, autoritetet kanë siguruar një video të publikuar më 5 gusht, në të cilën shfaqet një person duke qëlluar me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Pas analizimit të pamjeve, hetuesit kanë nisur procedurat për identifikimin e personave të përfshirë dhe sqarimin e rrethanave.
Dyshimet e ngritura në raportime janë se gjatë performancës së tij muzikore, Rexha ka marrë një pistoletë dhe ka qëlluar disa herë në ajër. Këngëtari është kontaktuar nga hetuesit dhe ka bërë të ditur se do të paraqitet në polici për intervistim.
Organizatori i dasmës ka deklaruar se arma nuk ka qenë në pronësi të këngëtarit, por e njërit prej të ftuarve në ceremoni.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar procedurë hetimore për veprat penale që lidhen me posedimin ose mbajtjen e paautorizuar të armës, si dhe përdorimin e armës.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të ndërmarrin veprime të mëtejshme pas përfundimit të intervistimeve dhe verifikimeve.
Labinot Rexha, njësoj si çdo person tjetër nën hetim, konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






