

TIRANË, 7 gusht – Vendimi për kufizimin e nivelit të zërit në lokalet dhe ambientet turistike ka sjellë reagime nga përfaqësues të sektorit të argëtimit, të cilët e konsiderojnë masën një pengesë për aktivitetet muzikore gjatë sezonit veror.
Sipas rregullave të reja për menaxhimin e zhurmave, subjektet do të monitorohen përmes matjes së nivelit të zërit, ndërsa kufiri i lejuar është përcaktuar në 45 decibelë.
Këngëtari Endri Stefi ka reaguar kundër këtij kufizimi, duke argumentuar se një nivel i tillë e bën të pamundur zhvillimin e performancave muzikore live në lokale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Stefi iu drejtua qeverisë duke kërkuar rishikimin e vendimit. Sipas tij, masa prek jo vetëm artistët dhe bizneset e sektorit të argëtimit, por edhe turistët dhe qytetarët që frekuentojnë lokalet gjatë periudhës së verës.
“Me 45 decibel nuk mund të interpretohet muzikë live”, u shpreh këngëtari, duke theksuar se sezoni veror përbën një periudhë të rëndësishme pune për muzikantët dhe bizneset.
Artistët dhe operatorët e bizneseve të argëtimit kanë kërkuar që rregullat të rishikohen, duke argumentuar se kufizimet duhet të balancojnë respektimin e qetësisë publike me nevojat e sektorit turistik dhe kulturor.
Nga ana tjetër, autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim të detajuar mbi kërkesat e artistëve dhe arsyetimin teknik të kufirit të përcaktuar prej 45 decibelësh.
Postimi i Endrit Stefit
Keq e me keq…
Egzistonte nje fije shprese se mund te shtyhej pak orari i mbremjeve muzikore, sidomos ne sezonin e veres.. Njelloj si vendet fqinje, qe respektojne punen kur vjen, biznesin dhe artistet qe kane me shume mundesi per te punuar, pikerisht ne keto 35-40 dite vere. Por, thjesht ka qene iluzion i imi…
Jo vetem qe nuk ndodh zgjatja e orarit pertej ores 11:00 ???? por krejt papritur mesojme nje nga vendimet me absurde te qeverise “per zhurmat”, (sepse keshtu klasifikohet muzika kohet e fundit), se :
Muzika ne c’do lokal edhe brenda orarit te lejuar 20:00 me 11:00 do te monitorohet me njesine e matjes dicibel dhe niveli i lejuar eshte percaktuar 45 dc Dmth eshte njelloj si te thone qe nuk do kendohet me live, sepse me nivelin 45 dc nuk mund te interpretohet (kendohet), live. Eshte e pamundur
Nuk mund ta kuptoj! Perse kaq ekstem? Kujt i prishet qetesia apo gjumi ne kete ore? Me duket sikur kete vend e sabotojne c’do dite me vendime e plane antishqiptare . Bizneset dhe artistet (kenetare e instrumentiste), kane pasur veshtiresi te forta me orarin e kufizuar dhe renia e punes eshte ndier kudo dhe per te gjithe.
Tani po kaloni c’do limit duke e bere thuajse te pamundur aktivitetin tone (per te gjithe artistet ne Shqiperi), dhe bisneseve qe duan te bejne dicka ndryshe per klientet ne dite te vecanta, sidomos tani ne stinen e veres. Per te qene me i sakte jane vetem 35-40 dite qe egziston kjo mundesi nga 15 Korriku deri ne 20 Gusht.
Z. Kryeminister Edi Rama dhe ju ministrat e mjedisit dhe kultures! Rishikoni edhe njehere kete vendim te padrejte per artistet dhe bizneset. Padyshim edhe per pjesen me te madhe te qytetareve dhe turisteve qe vizitojne vendin tone. Mos e paralizoni edhe ate pak gezim qe njerezit marin duke konsumuar dicka dhe degjuar muzike.
Njerezit (shumica dermuese), kane nevoje te kendojne e vallezojne, pse jo edhe te argetohen ne ditet e tyre te pushimeve. Mjaft halle dhe probleme kane shqiptaret per te zgjidhur. Edhe ju, gjithashtu!
Ky eshte qendrimi im i pare dhe ne emer te shume artisteve, kengetare e muzikante per kete rast kerkoj mirekuptimin tuaj dhe anullimin e ketij vendimi jo normal./
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






