

KLOS, 7 gusht – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Planit të Bardhë në Bashkinë Klos, duke djegur një banesë të braktisur dhe duke rrezikuar objekte të tjera pranë vatrës së flakëve, njoftuan autoritetet.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri shpërtheu në një zonë me shkurre dhe dushqe, ndërsa era e fortë favorizoi përhapjen e tij. Flakët rrezikuan disa banesa të braktisura dhe një kabinë elektrike në afërsi.
Një grua e moshuar me aftësi të kufizuara, banesa e së cilës u rrezikua nga zjarri, u evakuua në kohë nga ekipet në terren dhe ndodhet jashtë rrezikut.
Në operacionin për izolimin e flakëve janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të Klosit, Burrelit dhe Bulqizës, të mbështetura nga efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, punonjës të Bashkisë Klos dhe banorë vullnetarë.
Sipas autoriteteve, në terren po operojnë pesë mjete zjarrfikëse dhe dhjetëra efektivë, ndërsa situata po monitorohet për shkak të erës, e cila vijon të vështirësojë ndërhyrjen.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vazhdon, ndërsa autoritetet po punojnë për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe infrastrukturës elektrike.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






