Transmetuar më 07-08-2026, 19:24

PRISHTINË, 7 gusht – Kuvendi i Kosovës nuk arriti të përmbyllë procesin e konstituimit të legjislaturës së re brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa seanca do të vazhdojë të shtunën në orën 11:00.

Vendimi për shtyrjen u njoftua nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi deputetët nuk arritën të përfundojnë procedurat për konstituimin e Kuvendit. Afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese skadon në mesnatën e së premtes.

Shtyrja erdhi pas kërkesës së kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi më shumë kohë për të vijuar konsultimet me partitë parlamentare për krijimin e institucioneve të reja.

Më herët gjatë ditës, Kurti zhvilloi një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, por bisedimet përfunduan pa marrëveshje.

Vendimi për vazhdimin e seancës pas skadimit të afatit kushtetues është kundërshtuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila e konsideron shtyrjen në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me funksionimin normal të institucioneve.

Shqetësime kanë shprehur edhe njohës të çështjeve kushtetuese. Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e cilësoi shtyrjen si problematike nga pikëpamja kushtetuese.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në seancën e së shtunës, ndërsa përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja vazhdojnë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit