Transmetuar më 07-08-2026, 18:23

SARANDË, 7 gusht – Gjykata e Sarandës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për dy persona të arrestuar pas sekuestrimit të dy armëve të zjarrit në fshatin Gjashtë, ndërsa tre të tjerë u lanë në "arrest shtëpie".

Në seancën gjyqësore u paraqitën Alfred Kaja, 26 vjeç, dhe Sidorel Moriseni, 33 vjeç, të dyshuar për veprën penale të "mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit". Po ashtu, para gjykatës dolën edhe Vitrin Hoxha, 21 vjeç, Franko Bobja, 22 vjeç, dhe Vionis Poka, 31 vjeç, të dyshuar për "moskallëzim krimi".

Sipas vendimit të gjykatës, Kaja dhe Moriseni do të hetohen në masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa për Hoxhën, Bobjan dhe Pokën u caktua masa "arrest në shtëpi".

Pesë të arrestuarit u ndaluan disa ditë më parë nga Policia e Sarandës, e cila sekuestroi dy pistoleta në automjetin me të cilin udhëtonin. Në njoftimin fillestar, policia tha se po hetonte dyshimet se armët mund të përdoreshin për kryerjen e një ngjarjeje kriminale.

Megjithatë, gjatë veprimeve hetimore nuk u gjetën sende të tjera që, sipas autoriteteve, do të mbështesnin këtë dyshim, ndërsa automjetet e përdorura rezultuan me dokumentacion të rregullt.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit