Transmetuar më 07-08-2026, 14:08

TIRANË, 7 gusht 2026 – Partia Demokratike ka reaguar ndaj rregullores së re të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke e cilësuar atë kufizuese për aksesin e medias dhe duke kërkuar pezullimin e dispozitave që, sipas saj, pengojnë punën e gazetarëve.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, shprehu shqetësimin për disa nga masat e parashikuara në rregullore, mes tyre detyrimin që gazetarët të aplikojnë deri në 24 orë përpara për të ndjekur seancat gjyqësore, ndalimin e telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike, si dhe përdorimin e sistemit “media pool” për shpërndarjen e materialeve filmike.

Sipas Partisë Demokratike, transparenca e proceseve gjyqësore është një parim kushtetues dhe çdo kufizim ndaj medias duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i bazuar në ligj. PD argumenton se aksesi në seancat publike nuk duhet të kushtëzohet me autorizime paraprake dhe se problemet organizative mund të zgjidhen pa kufizuar të drejtën e raportimit.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se ndalimi i përdorimit të telefonave celularë cenon drejtpërdrejt punën e gazetarëve, pasi këto pajisje shërbejnë për komunikim me redaksinë, verifikim informacioni, mbajtje shënimesh dhe raportim në kohë reale.

Partia Demokratike shpreh rezerva edhe për sistemin “media pool”, duke vlerësuar se ai duhet të garantojë pluralizmin dhe pavarësinë e mediave, pa i dhënë institucionit që raportohet kontroll mbi materialet që publikohen.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me parashikimin e sanksioneve, përfshirë pezullimin ose revokimin e akreditimit të gazetarëve, si dhe mungesën e një mekanizmi të qartë ankimi ndaj këtyre vendimeve.

PD kritikon gjithashtu faktin që rregullorja është hartuar pa konsultim me gazetarët që mbulojnë aktivitetin e GJKKO-së dhe organizatat që përfaqësojnë median.

Në përfundim, Partia Demokratike i bën thirrje GJKKO-së të pezullojë dispozitat që prekin aksesin e medias dhe të nisë një proces konsultimi me gazetarët, organizatat e medias, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe ekspertët e lirisë së shprehjes, duke theksuar se mbështet të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, të pavarur dhe pa kufizime disproporcionale.

Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo:

Partia Demokratike shpreh shqetësim serioz për rregulloren e re të miratuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila vendos kufizime të reja ndaj aksesit dhe punës së gazetarëve pranë kësaj gjykate. Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë pavarësinë e gjykatave, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe respektimin e solemnitetit të proceseve gjyqësore.

Por siguria nuk mund të përdoret për të kufizuar transparencën dhe solemniteti nuk mund të shndërrohet në censurë. Më shumë se aq, pavarësia e drejtësisë nuk mund të nënkuptojë liri nga kontrolli i publikut. Vetë GJKKO pranon në dokumentin shpjegues të rregullores se transparenca e drejtësisë është ‘një vlerë kushtetuese’. Pikërisht për këtë arsye, çdo kufizim i punës së medias duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional, i përcaktuar qartë dhe i bazuar në ligj.

Rregullorja e re ngre pikëpyetje serioze në secilin prej këtyre aspekteve. Neni 93 parashikon mekanizma sipas të cilëve gazetarëve mund t’u kërkohet të aplikojnë deri 24 orë përpara për të ndjekur një seancë gjyqësore. Një seancë publike është publike pikërisht sepse aksesi në të është parimi dhe kufizimi përjashtimi.

Një gazetar i akredituar nuk duhet të detyrohet të kërkojë leje nga institucioni për të ushtruar të drejtën e tij për të raportuar mbi një seancë që ligji e përcakton publike. Nëse ekzistojnë probleme konkrete me kapacitetin e sallave, ato mund dhe duhet të zgjidhen me masa proporcionale organizative, jo duke transformuar aksesin e medias nga një e drejtë në një autorizim.

Edhe më shqetësues është ndalimi i telefonave celularë dhe pajisjeve elektronike për gazetarët. Në gazetarinë e sotme, telefoni është një instrument pune. Me të gazetari komunikon me redaksinë, verifikon informacionin, mban shënime dhe raporton në kohë reale. Ndalimi kategorik i tij nuk është thjesht një masë sigurie, por prek drejtpërdrejt aftësinë e medias për të informuar publikun në kohë reale për procese gjyqësore me interes të jashtëzakonshëm publik.

Rregullorja parashikon gjithashtu përdorimin e sistemit ‘media pool’, përmes të cilit pamjet e proceseve me interes të lartë publik mund të kontrollohen nga infrastruktura e vetë gjykatës.

Partia Demokratike konsideron se çdo sistem i tillë duhet të garantojë pluralizmin dhe pavarësinë e medias dhe nuk duhet të shndërrojë institucionin që raportohet në përzgjedhësin apo kontrolluesin e vetëm të materialit pamor që merr publiku. Shqetësim serioz ngre edhe përdorimi i koncepteve të gjera dhe subjektive, si ‘cenimi i dinjitetit’, të shoqëruara me sanksione që mund të shkojnë deri në pezullimin për gjashtë muaj apo revokimin e akreditimit të gazetarit.

Akoma më problematik është fakti se, sipas organizatave të gazetarëve, nuk parashikohet një mekanizëm i qartë dhe efektiv ankimi ndaj këtyre vendimeve. Asnjë gazetar nuk mund të lihet në mëshirën e një vendimi administrativ të pakontestueshëm për të ushtruar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë. Partia Demokratike vëren gjithashtu me shqetësim se një rregullore që prek drejtpërdrejt punën e gazetarëve është hartuar pa një konsultim real me reporterët që mbulojnë çdo ditë proceset pranë GJKKO-së dhe me organizatat që përfaqësojnë median.

Partia Demokratike i kërkon GJKKO pezullimin e dispozitave të rregullores që prekin aksesin dhe punën e medias, dhe hapjen e menjëhershme të një procesi konsultimi me gazetarët, organizatat e medias, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe ekspertët e lirisë së shprehjes. Partia Demokratike qëndron në krah të gazetarëve dhe organizatave të medias në mbrojtje të së drejtës së tyre për të informuar publikun lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe pa pengesa disproporcionale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit