Transmetuar më 07-08-2026, 11:50

TIRANË — Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin nigerian L. O., i cili akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, pasi u premtontë shtetasve shqiptarë dërgimin e pakove mashtruese kundrejt pagesave monetare.

Hetimet nisën pas kallëzimit të një operatoreje “Call Center”-i, e cila kishte krijuar një lidhje komunikimi në rrjetet sociale Instagram dhe WhatsApp me një person që hiqej si italian, megjithëse nuk zotëronte gjuhën. Autori i premtoi viktimës një “pako surprizë”, por për ta tërhequr atë i kërkoi kryerjen e pagesave të njëpasnjëshme dhe dhënien e të dhënave bankare.

Nëpërmjet letërporosive të ardhura nga autoritetet italiane, organi i akuzës arriti të identifikojë dhe të sigurojë provat se poseduesi i llogarisë ku derdheshin paratë ishte shtetasi nigerian me banim në Itali.

Me këtë rast, Prokuroria e Tiranës u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të lartë dhe të mos japin kurrë të dhëna personale apo kredenciale bankare në komunikimet online me persona të panjohur.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin nigerian L.O., për veprën penale të ‘Mashtrimit Kompjuterik’ parashikuar nga nenet 143/b/1 të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2103 të vitit 2022, nisën pas kallëzimit të bërë nga shtetasja M.E., operatore në një ‘Call Center’ që merret me shitjen e energjisë elektrike dhe gazit.

Në rrjetin e saj social i shkruante vazhdimisht një person me të cilin nisi të komunikojë. Ky shtetas, hiqej si me kombësi italiane edhe pse nuk dinte të komunikonte në italisht. Pas disa bisedave në Instagram dhe më pas në ËhatsApp, asaj iu kërkua të bëhej një pagesë, me pretendimin se ai shtetas nuk e bënte dot, në mënyrë që të merrte një pako surprizë.

Më vonë për t’i marrë informacionet bankare kallëzueses iu kërkua qe pagesa të bëhej me të dhënat bankare të marrësit, duke paguar një shumë të madhe parash. Por edhe pse pako nuk i erdhi asaj iu kërkuan sërish para me premtimin se do ta merrte.

Pas kryerjes së gjithë veprimeve procedurale dhe hetimeve të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, si dhe mbërritjes së Letër Pororsisë nga ana e autoriteteve italiane, u arrit te identifikohej si posedues i PostePay Evolution shtetasi nigerian me banim në Itali, L.O, lindur në Nigeri i cili dërgohet në gjyq për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik” parashikuar nga nenet 143/b /1 të Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke marrë shkas se raste të tilla janë të përsëritura e gjithnjë e më tepër shtetas po bëhen pre e mashtrimeve të tilla online, u bën thirrje sërish të gjithë shtetasve të mos japin të dhënat personale apo llogaritë bankare, në mënyrë që të mos bëhen pre e sulmeve dhe mesazheve të rreme kompjuterike me qëllim vjedhjen e kredencialeve në komunikimet online dhe vlerave monetare të tyre.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit