Transmetuar më 07-08-2026, 10:37

TIRANË — Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar në Shqipëri nga Kolumbia dhe Italia, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Nga Kolumbia është ekstraduar shtetasi kolumbian Samir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, i njohur ndryshe si “kimisti” i kokainës në Frakull. Ai akuzohet nga GJKKO për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, gjatë periudhës korrik-nëntor 2022, 53-vjeçari ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike dhe pleh organik, i nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, transit në Greqi dhe Mal i Zi, me destinacion Shqipërinë.

Ndërkohë, nga Italia është ekstraduar shtetasi Fadil Ternova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë. 38-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Dibrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”. Ngjarja daton në vitin 2024, kur pas një konflikti për motive të dobëta në aksin rrugor Bulqizë-Tiranë, ai dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër.

Ternova rezulton gjithashtu i dënuar dhe i akuzuar më parë për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.

Njoftimi i Policisë:

Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri. Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale intensive të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Bogotës, Kolumbi dhe të Interpol Romës, Itali, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, gjatë të cilave u ekstraduan në Shqipëri:

•shtetasi kolumbian i arrestuar në Kolumbi, S. R. R., 53 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formë të veçantë, atë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal".

Gjatë periudhës 7 korrik 2022–12 nëntor 2022, Policia e Shtetit dhe autoritetet në Mal të Zi kanë shkëmbyer informacione lidhur me një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik të transportuar me anije, në portin e Tivarit. Ngarkesa, nga të dhënat paraprake të administruara për interesa të procedimit, rezultonte se ishte nisur nga porti Buenaventura, Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut, Greqi, kishte destinacion tranzit Malin e Zi dhe kishte marrës një shtetas shqiptar. Nga hetimet e mëtejshme të kryera për këtë rast rezultoi se shtetasi S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike, përgjatë itinerarit Kolumbi-Greqi-Mal i Zi, deri në destinacionin final;

•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:

-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;

-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim; -në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit