

TIRANË — Janë futur në fuqi që prej 5 gushtit ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat ashpërsojnë ndjeshëm masat ndaj shkelësve, duke parashikuar heqjen përgjithmonë të patentës, gjoba më të larta dhe rregulla të reja për drejtuesit e automjeteve.
Sipas dispozitave të reja, çdo drejtues automjeti që konstatohet për herë të dytë duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit me nivel mbi 0.5 gram për litër, pasi është ndëshkuar më parë për të njëjtën shkelje, do t’i hiqet leja e drejtimit në mënyrë të përhershme.
Masa më të rrepta janë vendosur edhe për ata që organizojnë apo marrin pjesë në gara shpejtësie në rrugë, kryejnë manovra të rrezikshme, ndryshojnë vazhdimisht korsinë pa sinjalizim ose shfaqin sjellje agresive që cenojnë sigurinë. Për këto shkelje, gjobat variojnë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Ndryshimet prekin gjithashtu përdorimin e telefonit celular gjatë drejtimit, duke e ndaluar atë të mbajtur në dorë jo vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për ata që lëvizin me biçikleta dhe motomjete me kubikazh deri në 50 cc.
Për drejtuesit e rinj që kanë marrë lejen e drejtimit të kategorisë B gjatë dy viteve të fundit, zbatohet tolerancë zero ndaj alkoolit, si dhe kufizime të veçanta shpejtësie prej maksimumi 90 km/orë në autostrada dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






