Transmetuar më 07-08-2026, 09:34

Tragjedi në Gjermani, humbin jetën tre anëtarë të një familjeje nga Ferizaj

Një aksident i rëndë rrugor në Gjermani ka përfunduar tragjikisht për tre anëtarë të së njëjtës familje me prejardhje nga Ferizaj, të cilët po udhëtonin drejt Gjermanisë pasi kishin qëndruar për një periudhë në Kosovë.

Viktimat janë identifikuar si Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, si dhe Laurenti Aliu, 16 vjeç.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, aksidenti ndodhi mëngjesin e së enjtes në autostradën A3, në afërsi të Nittendorfit, në rrethin e Regensburgut.

Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar nga autoritetet, automjeti me të cilin po udhëtonin tre anëtarët e familjes doli nga rruga. Mjeti më pas rrëshqiti përgjatë një argjinature dhe përfundoi në zonën e shinave hekurudhore që kalojnë poshtë autostradës.

Aksidenti pati pasoja fatale për të tre personat që ndodheshin në automjet. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje nuk mundën t’i shpëtonin.

Operacioni i ndërhyrjes u zhvillua në kushte të vështira për shkak të pozicionit ku kishte përfunduar automjeti. Për nxjerrjen e mjetit nga zona pranë shinave hekurudhore, ekipet e shpëtimit u detyruan të përdornin edhe një vinç.

Ngjarja shkaktoi probleme të konsiderueshme edhe në qarkullimin rrugor dhe atë hekurudhor. Autostrada A3, në drejtim të Nurembergut, u mbyll për disa orë ndërsa autoritetet kryenin veprimet në vendngjarje dhe punonin për largimin e automjetit.

Për shkak të aksidentit u ndërpre përkohësisht edhe qarkullimi hekurudhor në linjën Regensburg–Nuremberg.

Sipas raportimeve, gjatë ngjarjes u dëmtua edhe linja ajrore e furnizimit me energji elektrike të hekurudhës. Për pasojë, një tren me rreth 80 pasagjerë mbeti i bllokuar në linjë.

Pasagjerët u evakuuan në mënyrë të organizuar dhe më pas u transferuan në një tren tjetër për të vazhduar udhëtimin. Treni që kishte mbetur i bllokuar u tërhoq më vonë nga zona me ndihmën e një lokomotive me naftë.

Autoritetet gjermane po vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota dhe shkakun që bëri që automjeti të dilte nga autostrada dhe të përfundonte në zonën hekurudhore.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit