Transmetuar më 07-08-2026, 07:50

ROSKOVEC – Një konflikt mes dy komshinjve për një turë drush ka përfunduar tragjikisht mbrëmjen e së enjtes në lagjen Vrapaj të Roskovecit, ku një 69-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se pësoi infarkt.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, viktima është identifikuar si Baftjar Vrapi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, kur djali i tij është përfshirë në një konflikt fizik me një komshi për motive që lidhen me një turë drush.

Nga të dhënat paraprake rezulton se 69-vjeçari ndodhej në banesë së bashku me bashkëshorten. Pasi është njoftuar për konfliktin dhe ka tentuar të dalë jashtë, ai është ndier keq dhe dyshohet se ka pësuar infarkt, duke u rrëzuar në tokë.

Familjarët kanë njoftuar menjëherë shërbimin e urgjencës, ndërsa i moshuari është transportuar me ambulancë drejt Qendrës Shëndetësore të Roskovecit. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai është konstatuar pa shenja jete.

Burime nga Qendra Shëndetësore e Roskovecit thanë se 69-vjeçari ka mbërritur pa shenja jete dhe me një shenjë mbi vetull. Sipas tyre, nuk mund të përcaktohet nëse ajo shenjë është pasojë e një goditjeje apo është krijuar si rezultat i rrëzimit në tokë. Kjo pritet të sqarohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të së enjtes, kur mes familjeve Vrapi dhe Hoxhaj ka nisur një debat për një grumbull drush. Sipas versionit zyrtar të Policisë, 69-vjeçari doli së bashku me bashkëshorten dhe, teksa pa konfliktin mes familjarëve, humbi ndjenjat dhe u rrëzua në tokë.

Ndërkohë, disa banorë të zonës tregojnë se, Baftjar Vrapi ndodhej në verandën e banesës dhe ka parë konfliktin mes djalit të tij dhe komshiut, përpara se të pësonte infarktin.

Policia po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e konfliktit. Personat e përfshirë janë shoqëruar dhe po merren në pyetje, ndërsa grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rastit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit