Transmetuar më 07-08-2026, 07:43

PRISHTINË – Konstituimi i Kuvendit të Kosovës mbetet i papërfunduar, ndërsa mosmarrëveshjet politike për postin e presidentit vijojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Seanca konstituive e së enjtes u ndërpre pas betimit të deputetëve të legjislaturës së 11-të dhe formimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve. Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit u shty për një moment të dytë.

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se vazhdimi i procesit pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një kompromisi dhe ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

"Nëse Kuvendi konstituohet pa një marrëveshje për presidentin, praktikisht do të krijoheshin kushtet për shpërndarjen e tij", tha Kurti, duke kërkuar më shumë kohë për vazhdimin e dialogut me partitë parlamentare.

Sipas tij, bisedimet me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë ndërprerë për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti, ndërsa konsultimet do të vijojnë edhe me subjektet e tjera politike.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, e cilësoi shtyrjen e seancës si mungesë serioziteti nga partia fituese e zgjedhjeve. Sipas tij, institucionet nuk duhet të mbahen peng nga negociatat politike, ndërsa Kosova po vazhdon të përballet me një vakum institucional.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kritikoi vendimin për shtyrjen e konstituimit, duke e cilësuar atë një përpjekje për të fituar kohë në negociatat politike. Ai argumentoi se partitë kanë pasur në dispozicion 30 ditë për të diskutuar një marrëveshje dhe se vonesat nuk justifikohen.

Ndërkohë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës sqaroi se afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e presidentit nis vetëm pas konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, ndërprerja e seancës nuk e pezullon dhe as nuk e zgjat afatin kushtetues për përfundimin e procesit të konstituimit.

Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundon të premten në mesnatë. Megjithatë, partitë politike mbeten ende larg një marrëveshjeje, ndërsa kërkesa e LDK-së për postin e presidentit vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të mosdakordësisë. Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit