

SHKUP – Heqja e gjuhës shqipe nga një tabelë zyrtare mirëseardhjeje në një pikë kufitare të Maqedonisë së Veriut ka nxitur reagime të forta nga opozita shqiptare dhe figura të njohura të jetës publike.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të parimeve kushtetuese dhe të legjislacionit që garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Në një reagim në rrjetin social X, Osmani u shpreh se regjistrimi i fundit i popullsisë evidenton shqiptarët si rreth 29.5% të popullsisë së vendit dhe se heqja e shqipes nga një tabelë shtetërore përbën, sipas tij, "mungesë ligji institucional, diskriminim dhe provokim të qëllimshëm".
Për çështjen kanë reaguar edhe gazetari Seladin Xhezairi dhe publicistja Nafie Selmani. Xhezairi publikoi një fotografi të tabelës, duke shkruar me ironi se do të dëshironte që lajmi të përgënjeshtrohej, ndërsa Selmani kritikoi mungesën e reagimit nga koalicioni VLEN, duke e cilësuar heshtjen e tij si të papranueshme.
Nga ana tjetër, në disa media janë publikuar kritika ndaj koalicionit VLEN, duke pretenduar se ai nuk ka reaguar ndaj këtij zhvillimi, ndërkohë që përfaqësues të tij kanë qenë të pranishëm në protestat e zhvilluara në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe koalicioni VLEN nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet për ndryshimin e tabelës kufitare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






