

Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet problematike. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 10 prej tyre mbeten ende aktive.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 454 forca operacionale, 47 automjete zjarrfikëse, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë, avioni "Air Tractor" dhe tre mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.
Në zonën e Dajtit dhe në fshatin Priskë të Tiranës vijojnë ndërhyrjet nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarreve në sipërfaqe pyjore. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në bashkinë Mallakastër, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes së koordinuar të forcave në terren dhe mjeteve ajrore.
Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit vijojnë operacionet për shuarjen e vatrave në zonat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur të malit të Valamarës. Autoritetet bëjnë të ditur se vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë vënë nën kontroll dhe nuk përbëjnë rrezik për banesat.
Në fshatin Kostren 2, në bashkinë Berat, një vatër zjarri është riaktivizuar, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për neutralizimin e saj.
Nga ana tjetër, zjarret në fshatin Floq, bashkia Korçë, si dhe në zonën Shpërdhet–Drojë, bashkia Kurbin, janë shuar plotësisht.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturat, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe strukturat e tjera përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin e vendit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






