Transmetuar më 06-08-2026, 21:17

Policia Kufitare e Vlorës ka bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me një masë administrative prej 300 mijë lekësh, pasi u konstatua duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë një patrullimi në vendin e njohur si "Plazhi i Hidrovorit", në zonën e Zvërnecit, efektivët konstatuan mjetin lundrues duke hyrë në hapësirën e rezervuar për pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit me iniciale A. V., u vendos gjobë në vlerën 300 mijë lekë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit. Sipas autoriteteve, çdo shkelje që cenon sigurinë në plazhe do të ndëshkohet në përputhje me ligjin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit