Transmetuar më 06-08-2026, 20:46

Ministrat e qeverisë nuk do të kenë pushime verore deri në fund të muajit gusht. Kryeministri Edi Rama do të vijojë traditën e takimeve informale të kabinetit qeveritar, të njohura si retreat, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Burime qeveritare i konfirmuan gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se më 24 dhe 25 gusht ministrat do të raportojnë mbi ecurinë e punës dhe prioritetet e dikastereve që drejtojnë për muajt në vijim. Sipas të njëjtave burime, takimi pritet të zhvillohet në qytetin e Pogradecit.

Paralelisht, brenda Partisë Socialiste po diskutohet mundësia e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare në fillim të muajit shtator, përpara rifillimit të punimeve të Kuvendit, seanca e parë e të cilit është parashikuar më 7 shtator.

Nëse kjo mbledhje do të zhvillohet, ajo mund të shërbejë si momenti kur kryeministri dhe njëherazi kryetari i PS-së, Edi Rama, të shpallë ndryshime në kabinetin qeveritar. Burime brenda mazhorancës bëjnë të ditur se prej javësh qarkullojnë diskutime për një rifreskim të drejtimit në të paktën gjashtë ministri.

Megjithatë, çdo vendimmarrje mbetet në kompetencë të kryeministrit Rama, i cili edhe më parë ka ndërmarrë lëvizje të papritura në përbërjen e qeverisë.

Fillimi i shtatorit pritet të jetë një periudhë me zhvillime të rëndësishme, si për ekzekutivin ashtu edhe për Partinë Socialiste. Kryeministri ka rritur kërkesën për llogaridhënie ndaj drejtuesve politikë dhe ministrave, një qasje që është materializuar edhe përmes dokumentit "Besa", të cilin e ka prezantuar si metodën e re të punës për mandatin e katërt qeverisës.

Ndërkohë, nëse do të thirret Asambleja Kombëtare e PS-së, në rendin e ditës pritet të përfshihet edhe mocioni për hapjen e një dialogu kombëtar mbi një marrëveshje të re për Shqipërinë, i depozituar nga deputetja Elisa Spiropali.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit