

Presidenti amerikan Donald Trump raportohet se po sheh zëvendëspresidentin JD Vance si një nga figurat kryesore që mund të udhëheqë Partinë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Sipas një raportimi të The Washington Post, Trump ka diskutuar në një takim privat me donatorë në Zyrën Ovale mundësinë që Vance të jetë kandidati i preferuar për të vijuar linjën politike republikane pas përfundimit të mandatit të tij.
Gjatë takimit, sipas personave të njohur me diskutimin, Trump është shprehur në favor të Vance, duke thënë se partia duhet të zgjedhë atë si një figurë udhëheqëse për të ardhmen. Megjithatë, presidenti amerikan nuk ka bërë ende një deklaratë zyrtare mbështetëse për asnjë kandidat.
Përveç JD Vance, Trump ka përmendur edhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio si një emër potencial për garën presidenciale të vitit 2028. Burime pranë administratës amerikane bëjnë të ditur se presidenti është treguar më i hapur ndaj kandidaturës së Vance pas rritjes së profilit të tij publik dhe politik.
Megjithatë, zyrtarë të administratës kanë theksuar se procesi është ende në një fazë të hershme dhe se nuk ka një vendim përfundimtar për kandidatin që do të marrë mbështetjen e Trump.
Sipas raportimeve, Trump ka diskutuar privatisht edhe një përballje të mundshme mes JD Vance dhe Marco Rubio për drejtimin e ardhshëm të Partisë Republikane. Ai mësohet se ka kërkuar mendime nga bashkëpunëtorët e tij mbi një garë të mundshme mes dy figurave.
Këshilltarë të Trumpit kanë paralajmëruar se është ende herët për të përcaktuar kandidatin përfundimtar të vitit 2028. Sipas tyre, edhe pse presidenti mund ta shohë Vance si një pasues të mundshëm politik, mbetet e paqartë nëse kjo do të shndërrohet në një mbështetje publike gjatë garës së ardhshme.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






