

Është zbardhur dëshmia e 31-vjeçarit Kejdi Banaj, i arrestuar dy javë më parë pasi në automjetin me të cilin udhëtonte drejt Sarandës u gjetën katër pistoleta të tipit “Glock”.
Gjatë deklarimeve të tij, Banaj ka pretenduar se është përdorues i lëndëve narkotike prej vitesh dhe se nuk mban mend me saktësi rrethanat e ngjarjes. Ai ka pohuar se nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së qeses së vendosur në automjetin e tij.
Sipas dëshmisë, qesja me armët dyshohet se ishte vendosur në makinë nga një 26-vjeçar me inicialet E.S., të cilin Banaj thotë se e njeh prej rreth 20 vitesh. Ai ka deklaruar se të dy ishin nisur drejt Sarandës për të gjetur një apartament me qira dhe për të kaluar disa ditë pushime.
Banaj ka rrëfyer se, pasi lanë bashkëshorten e E.S. në Elbasan, udhëtuan drejt Tiranës, ku, sipas tij, E.S. mori një qese të zezë dhe e vendosi në automjetin e tij, ndërsa vetë vijoi rrugën me një automjet tjetër.
“Vetëm kur u ndalova nga policia kuptova se çfarë ndodhej në makinë. Nuk e dija se çfarë kishte në qesen e zezë”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Sipas dosjes hetimore, Banaj ka bashkëpunuar me grupin hetimor, duke dorëzuar kodin e telefonit celular dhe duke dhënë informacion mbi personat që dyshohet se kanë lidhje me rastin.
Nga materialet hetimore rezulton se ai kishte dhënë edhe një version tjetër të ngjarjes gjatë deklarimeve të para para oficerëve të policisë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e rastit dhe për të verifikuar pretendimet e paraqitura nga i arrestuari.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






